Telegrafi

Gjykata në Ferizaj fillon reformën

Pas miratimit të Ligjit për Gjykatat dhe Riorganizimin e Ri, nga janari i vitit 2013 sistemi gjyqësor pritet të fillojë me sistemin Gjykata Themelore dhe Gjykata të Apelit.

Nga ky reformim i plotë i sistemit gjyqësor, do të ndërrojnë funksionet dhe emërtimet e gjykatave. Gjykatat për Kundërvajtje, ato Komunale, të Qarkut dhe Ekonomike, me sistemin e ri do të organizohen në tri shkallë: Gjykatat Themelore, Gjykatat e Apelit dhe Gjykata Supreme, e sipas nevojës mund të krijohen edhe departamente dhe divizione të veçanta.

Bazuar në udhëzimin e aprovuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, i cili udhëzim është miratuar në shtator të këtij viti, për emërimin e kryetarëve dhe gjyqtarëve mbikëqyrës, me fillimin e zbatimit të Ligjit për Gjykatat dhe riorganizimin e ri , në mënyrë efektive u pushon funksioni kryetarëve të tanishëm të të gjitha gjykatave, me përjashtim të kryetarit të Gjykatës Supreme, i cili emërohet bazuar në Kushtetutën e Kosovës.

Me riorganizimin e sistemit gjyqësor, Gjykatat Komunale dhe ato për Kundërvajtje në Ferizaj, Kaçanik dhe Shtërpcë pritet të transformohen në një gjykatë të vetme, Gjykatë Themelore, e cila themelohet për territorin e Ferizajt, Kaçanikut, Shtimes dhe Hanit të Elezit. Selia e kësaj gjykate do të jetë në Ferizaj.

Andaj, gjyqtarë të këtyre gjykatave, në konsultim më Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor Enver Peci dhe kryetarin e Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Hasani, mbajtën konferencën konsultative ku gjyqtarët e gjykatave ekzistuese propozuan kandidatët për kryetar të Gjykatës Themelore.

Gjatë kësaj mbledhjeje konsultative, për kryetar të Gjykatës Themelore në Ferizaj u propozuan gjyqtari Bashkim Hyseni, kryetar aktual i Gjykatës Komunale në Ferizaj dhe Kadrije Goga-Lubishtani, gjyqtare penaliste në Gjykatën Komunale në Ferizaj.

Bazuar në udhëzimin për emërimin e kryetarëve të gjykatave dhe gjyqtarëve mbikëqyrës, nga kandidatët e propozuar në këtë konferencë konsultative, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, do të bëjë përzgjedhjen e kryetarit për Gjykatë Themelore duke u bazuar në aftësitë e dëshmuara udhëheqëse dhe duke marrë parasysh përvojën udhëheqëse të mëparshme, transmeton gazeta Jeta në Kosovë.

Po ashtu, KGJK-ja do të marrë parasysh edhe parimet e diversitetit etnik dhe të barazisë gjinore.

Sipas zyrtarëve në Gjykatën Komunale në Ferizaj, KGJK-ja pritet të sjellë vendimin për përzgjedhjen e kryetarit brenda këtij muaji. Në ditët e kaluara, këto gjykata kanë dorëzuar edhe propozimet për administratorë të Gjykatës Themelore që pritet të themelohet në janar./Telegrafi/