Gjykata franceze në Colmar pas kërkesës së Serbisë për ekstradimin e Ramush Haradinajt i ka dërguar letër ministrisë së Drejtësisë të Serbisë ku i kërkon sqarime shtesë.
Siç kanë thënë zyrtarë të ministrisë për mediat serbe, Gjykata e Colmarit i ka dërguar pyetje kësaj ministrie ku kërkohen sqarime të dispozitave ligjore që kanë të bëjnë me veprat e Haradinaj për të cilat Serbia e akuzon.
Këto sqarime kanë të bëjnë me vendimin që pritet të merret me gjashtë prill, për lirimin ose ekstradimin e Haradinajt, njofton Klan Kosova. Haradinaj u arrestua më 4 janar nga autoritetet franceze pas një fletëarresti të lëshuar nga Serbia.
Shteti i Serbisë e akuzon Haradinajn se ka kryer krime lufte gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Kujtojmë se Haradinaj, ish-kryeministër i Kosovës dhe lider aktual i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dy herë është gjykuar dhe liruar nga drejtësia ndërkombëtar, për të njëjtat akuza.