Site icon Telegrafi

Gjykata liron Feim Pulajn dhe 12 zyrtarët e ATK-së – kjo është masa që iu shqiptua

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e paraburgimit për 12 zyrtarët e ATK-së dhe biznesmenin Feim Pulaj të arrestuar nën dyshimin për korrupsion.

Gjykata e ka caktuar masën e ndalimit të ofrimit të personit apo vendit të caktuar.

“Të pandehurve iu ndalohet qasja dhe ofrimi në objektet e institucionit qëndror të ATK-së e duke përfshirë edhe të gjitha regjionet e saj në largësinë prej 500 (pesëqind) metra, gjithashtu të pandehurve punonjës të ATK-së tani iu ndalohet kontakti dhe ofrimi me të pandehurin F.P dhe bizneseve të tij, në largësi prej 500 (pesëqind) metra. Mosrespektimi i kësaj mase nga ana e të pandehurve do të zëvendësohet me masën e paraburgimit”, thuhet në njoftim.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Ndryshe, 12 zyrtarët dhe biznesmeni janë arrestuar të martën (9 janar 2024) nën dyshimin për disa vepra penale, ndërsa të mërkurën ishte kërkuar caktimi i masës së paraburgimit.

Lexo po ashtu Këta janë zyrtarët e ATK-së që u arrestuan për “Mashtrimi në detyrë”

Zyrtarët e ATK-së të arrestuar nën dyshimin për korrupsion janë: Masar Zejnullahu, Nesim Bajrami, Safet Temaj, Avdil Jakupi, Muhamet Rafuna, Murtez Zeqiri, Milaim Berisha, Gazmend Gjocaj, Adil Paqarizi, Vllaznim Krasniqi, Agim Rama, Xhemajl Hetica.

Ilir Murtezaj, drejtor i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), ka thënë se Prokuroria ka ardhur në përfundim për ngritje të aktakuzës dhe se hetimet kishin filluar qysh në vitin 2020./Telegrafi/

Exit mobile version