Gjykata Kushtetuese rrëzoi sot kërkesën e Fredi Belerit, kandidati fitues i zgjedhjeve në bashkinë e Himarës, për të shfuqizuar masën e sigurisë “Arrest me burg”.
Beleri kërkoi shfuqizimin e masës së sigurisë me argumentin se ishte e padrejtë dhe kishte pabarazi në vendimmarrje, ndërsa kërkoi të betohej si kryebashkiak i Himarës. Gjykata Kushtetuese vlerësoi se nuk ka patur cenim të barazisë përpara ligjit.
Gjykata Kushtetuese rrëzoi pretendimet e Belerit, duke e gjetur të ligjshëm arrestimin e kryebashkiakut të zgjedhur në Himarë.
Beleri ndodhet në masën “Arrest me burg” prej muajit 12 majit 2023, për akuzën e “Korrupsion aktiv”. Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Shkalla e Parë e shpalli fajtor Belerin, duke e dënuar me dy vite burg. I akuzuari si bashkëpunëtor i tij, Pandeli Kokaveshi u dënua me 1 vit e 6 muaj burg, masë që u pezullua dhe u vendos në shërbim prove për tre vjet. /Telegrafi/