Telegrafi

Gjykata Kushtetuese pezullon përsëri Ligjin për Zyrtarët Publikë

Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë përkohshme për herë të dytë të Ligjit për Zyrtarët Publikë.

Me vendimin e Kushtetueses, ky Ligji do të jetë i pezulluar deri më 30 qershor 2020.

Më 8 nëntor 2019, Avokati i Popullit kishte kërkuar nga Gjykata që të vlerësojë përputhjen e disa neneve mbi çështjen e përputhshmërisë se dispozitave te Ligjit me Kushtetutën e Kosovës.

Ligji mbi Zyrtarët Publikë kishte hyrë në fuqi më 12 shtator të vitit 2019, ndërsa me vendim të Gjykatës Kushtetuese ekzekutimi i tij ishte pezulluar përkohësisht më 19 nëntor të atij viti, shkruan Telegrafi.

Masa e përkohshme për herë të parë këtij Ligji i është vazhduar deri në muajin prill të vitit 2020, ndërsa tani kjo Gjykatë për herë të dytë e vazhdoi pezullimin e ligjit.

“Gjykata, në mbështetje të nenit 116.2 të Kushtetutës, të nenit 27 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe të rregullit 57 të Rregullores së punës, njëzëri vendosi: I. TA VAZHDOJË masën e përkohshme të vendosur me Vendimin për masë të përkohshme në rastin KO 203/19 të datës 19 nëntor 2019, të vazhduar me Vendimin e 26 shkurtit 2020, deri më 30 qershor 2020; II. TA VAZHDOJË PEZULLIMIN e zbatimin në tërësi të Ligjit nr. 06/L-114 për Zyrtarët Publikë në kohëzgjatje të përcaktuar në pikën I”, thuhet në njoftimin e Kushtetuesës.

Ky Ligj kishte shfuqizuar Ligjin mbi Shërbimin Civil, të cilët janë paraparë disa risi siç janë emërimet në pozita të larta drejtuese, emërimet e komisioneve me mandat dhe të tjera. /Telegrafi/