Çdo shtet modern për organizimin dhe funksionimin normal të tij krijon institucione të mirëfillta. Përveç Kuvendit, Presidentit dhe Qeverisë si organe klasike të shtetit, edhe Gjykata Kushtetuese luan rol të pazëvendësueshëm në kompletimin e strukturës së pushtetit shtetëror.
Republika e Kosovës ka themeluar Gjykatën Kushtetues më 2009, si garantë e respektimit konsekuent të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë si dy vlera themelore të shtetit demokratik. Gjykata Kushtetuese ka përgjegjësi të interpretoj normat e Kushtetutës, Ligjeve dhe akteve të tjera normative kur ato janë të paqarta, të vlerësoj kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e proceseve zgjedhore, referendumeve e tjera.
Deri më sot, Gjykata Kushtetuese ka shqyrtuar disa lëndë dhe për të njëjtat ka nxjerrë vendimet e saj. Rrjedhimisht, rastet më të njohura për të cilat e tha fjalën e saj kushtetuesja janë: Rasti i papajtueshmërisë (inkompatibilitetit) të funksionit të ish-Presidentit Fatmir Sejdiu; Rasti i Kryetarit të Komunës së Rahovecit, Qazim Qeska; Rasti i zgjedhjes së Presidentit Behxhet Pacolli dhe së fundi rasti rreth imunitetit të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Në rastin e parë, kjo gjykatë konstatoi se ushtrimi njëkohësisht i funksionit të dyfishtë nga Fatmir Sejdiu, si President dhe Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës përbënte shkelje serioze të kushtetutës, me çka Sejdiu dhe dorëheqje i gjendur përballë një situate të tillë.
Në rastin Qeska, gjykata konstatoi se kryetari i Komunës së Rahovecit ishte kthyer dhe kishte ushtruar këtë funksion në mënyrë të kundërligjshme për rreth 6 muaj pasi që i njëjti kishte ofruar dorëheqjen e parevokueshme nga ky funksion. Më pas në këtë komunë u hap mundësia e mbajtjes së zgjedhjeve të reja të parakohshme për Kryetar të ri të Komunës.
Në rastin Pacolli, gjykata konstatoi shkeljet serioze të procedurave gjatë zgjedhjes së kandidatit për president. Ishte ky rasti i dytë në të cilën kushtetuesja e tha fjalën e saj rreth presidentit të vendit. Edhe ky i fundit e ofroi dorëheqjen për t`i dhënë mundësi zgjedhjes me konsensus nga e cila doli presidente Atifete Jahjaga.
Në fakt në dy rastet praktike të zgjedhjes së presidentit u vërejt se kushtetuta ka mangësi dhe boshllëk për të cilën është e nevojshme plotësim-ndryshimi i saj në pjesën që i referohet Presidentit të Republikës. Mbetet të shihet ndikimi i këtyre plotësim-ndryshimeve si dhe sa do ketë efekt në stabilizimin kushtetues të institucionit të Presidentit dhe forcimit të institucioneve tona në përgjithësi.
Në rastin e fundit të shqyrtuar këto ditë nga Gjykata Kushtetuese, me kërkesën e Qeverisë, gjykata solli vendim që deputetët e kuvendit nuk janë të veshur me imunitet nga ndjekjet penale për veprat penale të cilat i kryejnë para se të marrin këtë funksion ose edhe gjatë ushtrimit të mandatit të deputetit nëse ato vepra kryhen jashtë përgjegjësive të deputetit. Ky vendim u hap rrugën organeve të ndjekjes penale që të arrestojnë deputetët kudo dhe kurdo që paraqitet e nevojshme për nevojat e procedurës penale.
Çdo vendim i Gjykatës Kushtetuese bëri ndryshime në shtetin tonë. Është interesant fakti se gati në të gjitha rastet që i shqyrtoi kjo gjykatë, vendimet e saj u respektuan, pavarësisht se në opinion pati edhe mospajtime dhe mendime të ndara rreth objektivitetit dhe drejtësisë së vendimeve.
Në rastet e përmendura, Gjykata Kushtetuese tregoi se mbase është organi i vetëm i cili me kompetencë ruan dhe kujdeset për mbrojtjen e sistemit kushtetues të vendit. Për të mirën dhe sigurinë juridike dhe shoqërore të shtetit, institucioneve dhe qytetarëve tanë, shpresojmë se Gjykata Kushtetuese do ta bëj punën e saj duke i shmangur ndikimet e politikës dhe presionet që mund të vijën nga kushdo në të ardhmen.
Në këtë mënyrë, do të kultivohet ndjenja për respektim të kushtetutës dhe ligjit si vlerë e madhe qytetare dhe demokratike dhe që edhe vendi ynë të hyj në listën e shteteve që krenohen me këtë vlerë tradicionale.
(Autori është Baçelor i Drejtësisë dhe kandidat për Master të Shkencave Juridike-Penale në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës)