Telegrafi

Gjykata Kushtetuese merr vendimin për zgjedhjet vendore të 2019-ës

Gjykata Kushtetuese në Shqipëri, të enjten e 4 nëntorit ka rrëzuar kërkesën e “Shoqatës së Bashkive” për përsëritjen e zgjedhjeve të 30 qershorit 2019.

Vendimi i saj erdhi pasi Komisioni i Venecias, njoftoi se, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë nuk ka kompetencë për të shqyrtuar vlefshmërinë e zgjedhjeve vendore të mbajtura në 2019-ën.

Kushtetuesja, të martën e 2 nëntorit, pas seancës zhvilloi seancën për legjitimitetin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit.

Sipas saj, vendimi erdhi pasi dëgjoi palët ndërgjygjëse në gjykimin kushtetues, dhe pas marrjes në shqyrtim opinionin amicus curiae të Komisionit të Venecias.

Gjykata e pezulloi gjykimin në korrik dhe vendosi t’i drejtohej Komisionit të Venecias për të marrë mendim lidhur me padinë e Shoqatës së Bashkive, e cila kërkonte pavlefshmërinë e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.

Pse iu drejtua Venecias, Kushtetuesja?

Gjykata Kushtetuese ka shpjeguar vendimin e saj për të kërkuar opinion nga Komisioni i Venecias, lidhur me kushtetutshmërinë e zgjedhjeve të 30 qershorit të vitit 2019.

Organi më i lartë juridik në vend vendosi ta sqarojë situatën, pasi kishte parë “keqinterpretime dhe keqinformim” të opinionit publik lidhur këtë çështje.

“Gjykata, duke shprehur shqetësimin e saj rreth keqinterpretimeve dhe keqinformimit në lidhje me këtë vendimmarrje, ndjen për detyrë institucionale të informojë”.

Sipas Kushtetueses, ky vendim është i ndërmjetëm dhe mbështetet në nenin 44/b të ligjit nr. 8577, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i shtuar në kuadër të ndryshimeve të reformës në drejtësi.

“Objekti dhe çështjet për të cilat u vendos të kërkohet ky opinion janë të ndryshme nga çështjet e trajtuara në opinionet e mëparshme të Komisionit të Venecias, të cilat Gjykata Kushtetuese pa dyshim i mban gjithmonë në konsideratë”.

Në njoftim u theksua se ky ishte rasti i vetëm i përdorimit të këtij instrumenti, meqë vlerëson se, “çështja mbi procesin zgjedhor të datës 30.06.2019 është e një natyre unike dhe këshillimi me organe të specializuara”, u konsiderua të ishte i nevojshëm.

Gjykata konstatoi se, “debati jokonstruktiv në seancat e zhvilluara jo vetëm që nuk i shërben kësaj klime besimi, por mund të perceptohet si përpjekje për ta përfshirë atë në debate me ngjyrime politike”.

Seanca e 23 qershorit 2021

Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim më 23 qershor, kërkesën e Shoqatës së Bashkive për shfuqizimin si antikushtetuese të zgjedhjeve vendore të 30 qershorit dhe ripërsëritjen e tyre.

Në nisje të seancës, Këshilli i Ministrave kërkoi pezullimin e procesit, derisa në Gjykatën e Tiranës të zgjidhej konflikti i lindur mes Voltana Ademit dhe Pjerin Ndreut, për kryesimin e shoqatës, si dhe njëherazi që pjesë e procesit të ishte edhe Shoqata për Autonomi vendore.

Të dyja kërkesat u rrëzuan nga shtatë gjyqtarët kushtetues.

Në zgjedhjet e 30 qershorit 2019, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Demokratike në Shqipëri, nuk morën pjesë, duke i bojkotuar ato.