Telegrafi

Gjykata Kushtetuese kalon në diskutimin përfundimtar rreth shkarkimit të Metës

Gjykata Kushtetuese ka kaluar në diskutimin përfundimtar për shqyrtimin e kërkesës së Kuvendit të Shqipërisë për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.

Seanca e nisur prej orës 10:00 tashmë është ndërprerë dhe pritet të rifillojë në orën 12:00, teksa Kushtetuesja po bën shqyrtimin e çështjes.

Tashmë përfaqësuesit e Kuvendit dhe Presidentit kanë dorëzuar zyrtarisht përgjigjet e pyetjeve të Gjykatës Kushtetuese.

Lexo po ashtu Sot rinis gjyqi rreth shkarkimit të Ilir Metës

Kuvendi ka paraqitur gjithashtu një dokument me prova që u është shpërndarë anëtarëve të trupit gjykues dhe një kopje i është dërguar Presidentit.

Këshilltari i presidentit Bledar Dervishaj, ka shprehur shqetësimin në lidhje me provat e Kuvendit, të cilat sipas tij, u sollën me urgjencë.

Më 9 qershor, me 104 vota pro, Kuvendi i Legjislaturës së kaluar vendosi shkarkimin e presidentit, ndërsa tani duhet një vendim kushtetues që Meta të shkarkohet. /Telegrafi/