Site icon Telegrafi

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë i kërkon qeverisë të rishikojë kohëzgjatjen e masave kufizuese për COVID-19

Qeveria duhet të rishikojë vendimin e për masat kufizuese kundër përhapjes së infeksionit të COVID-19. Gjykata Kushtetuese ka vendosur të rrëzojë pjesërisht vendimin e marrë më 17 nëntor 2020 për vendosjen e masave të reja kufizuese nga ministria e Shëndetësisë.

Vendimi është marrë për faktin se masat kufizuese nuk kishin afat kohor përveç pjesës “deri në një urdhër të dytë”. Pikërisht për këtë pjesë Gjykata Kushtetuese i ka kërkuar qeverisë që të rishikojë brenda javës kohëzgjatjen e masave kufizuese.

“[Gjykata Kushtetuese vendosi] Shfuqizimin e shprehjes “deri në një urdhër të dytë” në pikën 1 të urdhrit nr. 633, datë 17.11.2020 të Ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Detyrimin e organit kompetent të rishikojë kohëzgjatjen e kufizimeve, brenda një jave nga shpallja e këtij vendimi,” – u tha në njoftimin e Gjykatës, teksa vendimi përfundimtar pritet të dalë së shpejti.

Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese vjen pas ankesës së Partisë Republikane për masat kufizuese, të cilët kishin ngritur pretendime kryesisht kundër ndalimit të zhvillimit të tubimeve dhe aktiviteteve politike./euronews.al

Exit mobile version