Gjykata kushtetuese gjatë seancës së sotme, për shkak të mospasjes së shumicës prej 9 gjykatësve, nuk solli vendim për kushtetueshmërinë dhe ligjshmërinë e nenit 175 të Ligjit për komunikime elektronike, i cili i mundëson Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK) të bëjë përgjim të drejtpërdrejtë nëpërmjet operatorëve të telekomunikacionit, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Vendimi për këtë pikë është shtyrë sepse gjykata punon me përbërje të shkurtuar, me 8 gjykatës. Gjykatësit Ismail Dardhishta më 31 korrik i përfundoi mandati nëntë vjeçar, ndërsa pasardhësi i tij ende nuk është emëruar. Më 7 tetor i përfundon mandati edhe gjykatëseve Natasha Gaber-Damjanovska dhe Gzime Starova.
Në seancën e sotme, siç informojnë nga Gjykata kushtetuese, janë pranuar nismat për vlerësim të kushtetueshmërisë dhe ligjshmërisë së Ligjit për kryerje dhe Ligjit për caktimin e llojit dhe vlerësimin e lartësisë së dënimit. Gjykatësit kushtetues kanë shprehur dyshime se nenet e kontestuara të Ligjit për kryerje, si dhe i tërë Ligji për caktimin e llojit dhe vlerësimin e lartësisë së dënimit janë “jo kushtetuese”./Telegrafi/