Site icon Telegrafi

Rifillojnë sërish punimet në rrugën “Jim Xhema”, e njohur si “Rruga A”

Gjykata Komerciale ka marrë vendim për fillimin e punimet në rrugën “Jim Xhema”, e njohur si “Rruga A” në kryeqytet, rreth tre muaj pas pezullimit të tyre.

aktvendimin e Dhomës së Shkallës së Dytë thuhet se janë aprovuar si të bazuara ankesat e Organit Shqyrtues të Prokurimit me seli në Prishtinë, dhe palëve të interesuara Komuna e Prishtinës si dhe operatorit ekonomik “Sallahu”.

Me këtë rast është ndryshuar aktvendimi i Gjykatës Komerciale, Dhomat e Shkallës së Parë i datës 30 nëntor 2023.

Lexo po ashtu Ndërprerja e punimeve në "Rrugën A", reagimet e pozitës, opozitës dhe Gjykatës Komerciale

Ndryshe, vendimi i Gjykatës Komerciale që të ndërpriten punimet në “Rrugën A” në Prishtinë ka ngjallur reagime të shumta – veçanërisht të pushtetit komunal pasi këtë projekt e patën cilësuar si më të rëndësishmin deri tani.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se vendimi është i bazuar plotësisht në interesa politike dhe të grupeve të interesit.

Kjo pasi siç ka deklaruar ai, vendimi është marrë nga motra e deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacolli, gjyqtarja Vlora Pacolli.

E akoma më kritik ndaj këtij vendimi është treguar kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i cili e ka cilësuar si “çmenduri që të lë pa fjalë”.

Në një reagim në Facebook, Abdixhiku ka thënë se ndërtimi i “Rrugës A” po ecte në ritmin e duhur, por siç ka shkruar ai, “në Kosovën e populistëve, puna krijon kundërshtarë”.

Këtyre akuzave iu është përgjigjur përmes një reagimi Lëvizja Vetëvendosje – Dega në Prishtinë, ku thuhet se etiketimi i gjyqtares Vlora Pacolli është tendencë nga kryetari Rama “për ta mbuluar dështimin e vet evident”.

Sipas tyre, vendimi i Komerciales është pasojë e “qasjes anti-institucionale dhe anti-ligjore të ekzekutivit të Komunës së Prishtinës”.

E për deklaratat e zyrtarëve të pushtetit komunal në Prishtinë e shqetësuar është shprehur Gjykata Komerciale, e cila përmes një reagimi publik ka kërkuar që të ndërtohet kulturë e respektimit të vendimeve gjyqësore dhe të lihen gjyqtarët të punojnë në mënyrë të pavarur. /Telegrafi/

Exit mobile version