Telegrafi

Gjykata kërkon nga Prokuroria Speciale plotësimin e aktakuzës ndaj dy ish-ministrave, Shala dhe Krasniqi

Gjykata Themelore në Prishtinë ka kërkuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) që të plotësojë dhe përmirësojë aktakuzën ndaj dy ish-ministrave të Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi dhe Endrit Shala, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Aktakuza është pranuar më 30 gusht 2024, ndërsa më 20 shtator është parashtruar kërkesa për plotësimin e saj.

“Më datë 20.09.2024 Gjykata në bazë të neni 235 paragrafi 4 lidhur me nenin 441 paragrafi 4 të KPPRK-së ka paraqitur kërkesë për plotësim/përmirësim e aktakuzës, pranë PSRK-së”- thuhet në përgjigjen e Gjykatës së Prishtinës të datës 07.10.2024.

Gjykata ka verifikuar që aktakuza është përpiluar në përputhje me ligjin dhe ka kërkuar përmirësime në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale.

Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzën ndaj Krasniqit dhe Shalës me akuzën për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Krasniqi, si ministër, akuzohet se ka tejkaluar kompetencat e tij duke miratuar një Udhëzim Administrativ për Kontrollin dhe Cilësinë e Karburanteve, duke i hequr Doganës së Kosovës kompetencën për vlerësimin e cilësisë së naftës, e cila më parë ishte kryer pa kosto shtesë.

Aktakuza thotë se kjo ka rezultuar në një proces jotransparent dhe të parregullt, duke i kaluar përgjegjësitë operatorëve privatë, duke sjellë një dëm të konsiderueshëm për buxhetin publik.

Endrit Shala akuzohet se ka shkelur ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit duke emëruar kompaninë “Euro Inspekt”, në pronësi të baxhanakut të tij, si trupë inspektuese për vlerësimin e karburanteve, duke i mundësuar kështu atij përfitime pasurore.

Prokurori special ka kërkuar që, përveç dënimeve, të akuzuarit të ndalohen të ushtrojnë funksione në administratën publike.

Vesel Krasniqi ka ushtruar detyrën e ministrit nga qershori 2020 deri në mars 2021, ndërsa Endrit Shala ka qenë ministër në periudhën 2018-2020./Telegrafi/