Gjykata rajonale në Schleswig-Holstein të Gjermanisë, sot ka miratuar ekstradimin në Spanjë të ish-udhëheqësit të Katalonjës, Carles Puigdemont.
Në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të Gjykatës, theksohet se është miratuar ekstradimi i Puigdemontit në bazë të akuzës për shpërdorim të fondeve publike, por kjo përjashton ekstradimin në bazë të akuzës për rebelim, pasi kjo nuk është në përputhje me ligjin gjerman, përcjell Telegrafi.
Ai u arrestua më 25 mars në Gjermaninë veriore, pasi autoritetet spanjolle lëshuan edhe një urdhër evropian për arrestimin e tij lidhur me nxitjen e trazirave, kryengritje dhe shpërdorim të fondeve publike.
Puigdemont vitin e kaluar udhëhoqi seancën e Parlamentit të Katalonjës ku deputetët votuan për shpalljen e pavarësisë nga Spanja. /Telegrafi/