Telegrafi

Gjykata franceze mori një vendim për pronarin e arrestuar të Telegramit

Themeluesi i Telegramit, Pavel Durov është nën hetim zyrtar dhe nuk do të lejohet të largohet nga Franca, tha prokurori francez në një deklaratë të lëshuar këtë mbrëmje.

Miliarderi me origjinë ruse është vënë nën mbikëqyrje gjyqësore ndërsa duhet ta paguajë një garanci prej 5.56 milionë dollarësh (5 milionë euro) dhe do të duhet të paraqitet në një stacion policie dy herë në javë dhe i ndalohet të largohet nga territori francez.

Durov u lirua nga paraburgimi i policisë në Francë dhe u dërgua në gjykatë për t’u marrë në pyetje më herët gjatë ditës, thanë prokurorët për CNN, disa ditë pas arrestimit në një aeroport të Parisit.

Prokurorët në Paris thanë se ai do të përballet me “pyetjet fillestare dhe aktakuzën e mundshme” në një gjykatë në kryeqytetin francez.

Kujtojmë se ai u arrestua mbrëmjen e së shtunës në aeroportin e Parisit. Drejtësia franceze e akuzon atë se nuk ka vepruar kundër përhapjes së përmbajtjeve kriminale në Telegram, rrjet social i cili ka më shumë se 900 milionë përdorues.

Durov u arrestua si pjesë e një hetimi kundër një personi të paidentifikuar të nisur më 8 korrik nga Njësia e Krimeve Kibernetike, tha më herët në një deklaratë prokurorja Laura Bekua.

Hetimi ka të bëjë me përfshirjen e dyshuar në vepra të ndryshme penale, duke përfshirë drejtimin e një platforme online që mundëson transaksione të paligjshme, pornografi me fëmijë, trafik droge dhe mashtrim, si dhe refuzimin për të dhënë informacion autoriteteve, pastrim parash dhe ofrimin e shërbimeve kriptografike për kriminelët, thuhet në deklaratë. /Telegrafi/