Site icon Telegrafi

Gjykata e Vlorës: Sekuestrimi i “Norgës”, i paligjshëm

Mesditën e të enjtes u zhvillua seanca gjyqësore, ku gjykata ka marrë në shqyrtim kërkesën e kompanisë “A&B Grup”, e cila kundërshtonte sekuestrimin e fabrikave me vendim të pazbardhur të Gjykatës së Tiranës. Gjykata e Vlorës ka shqyrtuar çështjen dhe ka dalë në përfundimin se “sekuestrimi i kompanisë “A&B Grup” nga Përmbarimi i një kompanie private ka qenë i jashtëligjshëm, sepse nuk ka pasur vendim të Gjykatës së Tiranës të zbardhur, si dhe nuk ka pasur vendim të Gjykatës së rrethit të Vlorës, ku ka dhe aktivitetin kjo kompani”.

Trupi gjykues, duke konstatuar disa shkelje ligjore në këtë sekuestrim, me vendim të prerë pezulloi aktin e sekuestrimit, si dhe regjistroi çështjen për gjykim të mëtejshëm. Gjithashtu, Gjykata vendosi rikthimin e pajisjeve kompjuterike nga fabrika të bllokuara arbitrarisht nga kompania përmbarimore private dhe më pas rifillimin e punës në dy fabrikat, atë të birrës “Norga” dhe të frutave në ditët në vijim, deri në një vendim përfundimtar të Gjykatës së rrethit të Vlorës.

Që prej ditës së sotme, punëtorët do të rifillojnë punën sipas sektorëve të tyre, ndërsa pronarët thonë se do të vazhdojë bashkëpunimi me bankën sipas ligjeve dhe interesave të përbashkëta, bazuar në kontratat dhe ligjet në fuqi, deri në përfundimin e gjyqit.

Ndërkohë, pritet që të vendoset dhe masa e sigurisë për tre punëtorët e fabrikës birra “Norga”, të cilët u arrestuan të hënën, pas protestave të organizuara me qëllim rinisjen e punës, me akuzën e kundërshtimit të forcave të policisë, pasi tentuan të hyjnë në brendësi të fabrikës.
 

Exit mobile version