Site icon Telegrafi

Gjykata e Tiranës vlerëson masat e sigurisë për gjashtë gardistët

Gjykata pritet të vleftësojë urdhër-arrestet për të dyshuarit e organit të akuzës, që nëse do të pranohen janë të detyrueshme të zbatohen nga Policia e Shtetit, raportoi të hënën Ora News.

Prokuroria lëshoi gjashtë urdhër-arrestet për komandantin dhe zëvendëskomandantin e Gardës, një komandant njësie, një drejtues njësie dhe dy efektivë pasi dyshohen për vrasjen e tre personave në demonstratën e ditës së premte të thirrur nga opozita.

Gjashtë urdhrat e ndalimit të nxjerrë nga Prokuroria që nga dita e shtunë nuk janë zbatuar nga ana e Policisë. Gjithashtu Gjykata e Tiranës do të shqyrtojë edhe vlefshmërinë e arresteve dhe do të caktojë masat e sigurisë për 114 të arrestuarit pas demonstratës të së premtes.

Për shkak të numrit të konsiderueshëm të të arrestuarve në shqyrtimin e masave do të angazhohen disa prej gjyqtarëve të Gjykatës së Tiranës. Kjo edhe prej pamundësisë për shtyrjen e seancës së masës së sigurisë për shkak të kalimit të afateve të mbajtjes në qeli pa vendim gjykate.

Me anë të një njoftimi zyrtar, Policia e Tiranës bëri të ditur të shtunën emrat e 114 të arrestuarve gjatë demonstratës para godinës së Kryeministrisë. Akuzat që rëndojnë mbi ta janë “kundërshtim i punonjësve të policisë” dhe “shkatërrim prone”. /Telegrafi/
 

Exit mobile version