Telegrafi

Gjykata e Tenderëve e anulon tenderin për mazut

Gjykata e Tenderëve ka vendosur që tenderi i KEK-ut për furnizim me mazut të anulohet për shkak se dosja e tenderit ka qenë në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik.

Ky vendim i Gjykatës së Tenderëve është në kundërshtim me vendimin paraprak, në të cilin ishin injoruar arsyetimet e KEK-ut për anulim duke rekomanduar rivlerësimin e tenderit. Ky tender për herë të tretë është shqyrtuar nga OSHP-ja dhe janë lëshuar tri vendime të ndryshme, shkruan sot “Koha Ditore”.

Vendimi i OSHP-së që është marrë gjatë kësaj jave konstaton se dosja e tenderit nuk ka qenë e hartuar në harmoni me Ligjin e Prokurimit dhe e njëjta ka shkaktuar kufizim të konkurrencës.

“Paneli shqyrtues konstatoi dhe vlerësoi se specifikat teknike të vendosura në dosjen e tenderit janë në kundërshtim me dispozitat e LPP-së, përkatësisht neneve 27 dhe 28 të LPP-së”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Tenderëve. Tutje Paneli konstaton se pika B.3 e dosjes së tenderit ka qenë në kundërshtim me ligjin, pasi aty ishte vendosur një fjali që e kufizon konkurrencën. /Telegrafi/