Kanë kaluar 29 vjet nga mbyllja e dhunshme e Radio Televizionit të Prishtinës nga forcat policore serbe, që erdhi vetëm tre ditë pas shpalljes së Deklaratës së 2 korrikut nga delegatët e Kuvendit të Kosovës.
Atëbotë, qindra punëtorë shqiptarë mbetën në rrugë, kurse Kosovën e kaploi terri informativ e kulturor.
29 vjet pas, këshilli Organizativ i Okupimit Barbar të RTP-së duke kujtuar 5 korrikun e vitit 1990, në një konferencë për media kanë folur për kontributin e gazetarëve të atëhershëm për informimin e popullit shqiptar.
Qemajl Sokoli, kryetar i Këshillit Grevist ka rrëfyer për kohën kur me qindra gazetarë u dëbuan nga forcat serbe nga institucioni që aso kohe po informonte popullin.
RTP-ja sipas tij ishte pushka më jehuese e kombit edhe sinonim i qëndresës.
“Pas okupimit barbar serb të RTP-së në vitin 1990, 1300 punëtorë shqiptar mbetëm në rrugë, kurse Kosovën e kaploi terri informativ e kulturor. Mirëpo përmes emisioneve të sajuara, jashtë si në Zagreb e Shqipëri, me vetëmohim përkushtues e flakëm atë terr. Dhe informuam për gjendjen e rëndë të nën thundrën okupuese, si dhe e propaganduam luftën e drejtë të UÇK-së”, tha Sokoli.
Sipas Qemajl Sokolit pas çlirimit në vitin 1999 kur të gjithë prisnin që të kthehen aty, ndodhi e papritura.
Ai thotë se Qeveria Thaçi e Mustafa i ka mashtruar ata çnjerëzisht, për çka nga viti 2000 janë një proces gjyqësor.
“Qeveria e përkohshme e zvarranikut, por edhe të zvarranikëve pasues, na privuan nga e drejta me elementare njerëzore për të kthyer në vendet tona të punës për të cilat jemi flijuar… Klanet mafioze partiake të LDK-së dhe PDK-së në truallin 8 ha, ende të pa privatizuar bri pallatit të shtypit e kanë ndërtuar NLB-Prishtinën e ndërtesat e reja”, shprehet Sokoli.
Hilmi Kastrati, drejtor i Bordit të RTP-së, tha se ky institucion me punën e tij profesionale, tundi politikën fashiste të Beogradit të asaj kohe.
Pavarësisht kësaj, thotë se shoqëria sot po sillet me injorancë ndaj këtij institucioni. Ai bëri të ditur se janë duke i ndjekur rrugët ligjore.
“Shkalla e parë e Gjykatës Komunale ka vendosur në favor të RTP-së në vazhdimësi, duke ditur faktet bindëse të RTP-së në favor tonin ka vendosur edhe shkalla e parë e dhomës së veçantë e Gjykatës Supreme e Kosovës. Përderisa shkalla e dytës edhe dhomës së veçantë e Gjykatës Supreme, lëndën e RTP-së e ka proceduar në Gjykatën e Apelit, për çka presim përgjigje të shpejtë të kësaj Gjykate dhe kthimin e institucionit dhe të gjitha aseteve që i posedon ky institucion , natyrisht kthimin e gjithë punëtorëve në vendet e tyre të punës”, tha Kastrati.
Ai gjithashtu bëri të ditur se Gjykata se Strasburgut për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut, ka urdhëruar Republikën e Serbisë që të paguaj për secilin punëtor nga 33,150 euro dhe një dënim prej 10,000 eurosh për secilin, në të kundërtën kjo gjykatë do të ndëshkoj Serbinë me kamata bankare ditore.
Alexander Borg Olivier, përfaqësues ligjor i Këshillit Grevist, thotë se është i angazhuar t’i ndihmoj ata, në mënyrë që t’u realizohen të drejtat e tyre pronësore.
“Jemi të angazhuar për të ndihmuar RTP-në të realizojë të drejtat e veta pronësore dhe për të marrë asistencë në mënyrë që punëtorët e shumtë, të cilët kanë dhënë jetën për këtë ndërmarrje, të mund të përfitojnë nga të gjitha kontributet që kanë dhënë për ta bërë këtë ndërmarrje të madhe dhe të rëndësishme”, përfundon ai.
Kujtojmë se një ditë pas futjes së masave të dhunshme në RTP-së, erdhi vendimi për largimin nga puna të 13 gazetarëve dhe redaktorëve.
Më pas u larguan edhe 1300 punëtorë të tjerë të këtij mediumi, dhe e vetmja dritare televizive e informacionit u mbyll për shqiptarët për dhjetë vjet, deri pas përfundimit të luftës, kur nisi punë Radiotelevizioni i Kosovës.
Në atë kohë masat e dhunshme u vendosen në të gjitha ndërmarrjet shoqërore dhe nga vendet e tyre të punës u larguan mijëra shqiptarë. /KP/Telegrafi/