Gjykata Themelore Penale në Shkup sot i shpalli fajtorë tre të akuzuarit për vrasjen e hendbollistit kroat Denis Tot, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Gjykata i dënoi të akuzuarit Angelo Gjorgjievski me 18 vit burg, Klementina Levkovska po ashtu me 18 vjet, ndërsa të akuzuarin e tretë Andrej Kostovski me 16 vjet burg.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit akuzohen se më 7 prill, para një lokali nate në parkun e qytetit në Shkup, së bashku e kanë privuar nga jeta të dëmtuarin Denis Tot.
“Pas një debati të shkurtër, të tre i kanë shkaktuar disa goditje dhe lëndime të rënda fizike, nga të cilat viktima fillimisht ka rënë në gjendje kome dhe të nesërmen ka ndërruar jetë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë të publikuar më 21 korrik të këtij viti.
Gjykata merr parasysh të gjitha rrethanat rënduese dhe lehtësuese.
Rastin e udhëhoqi gjyqtarja Elena Ilievska – Josifoviq./Telegrafi/