Gjykata Themelore në Prishtinë ka reaguar ndaj postimeve në lidhje me aktgjykimin ndaj kryeparlamentarit Glauk Konjufca, i cili më 26 shkurt është liruar nga akuza për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.
Gjykata konsideron se reagimet e tilla, thuhet se ndikojnë negativisht në pavarësinë dhe paanësinë e gjyqtarëve dhe bën thirrje për përmbajte në komentimin e vendimeve gjyqësore.
“Gjykata Themelore në Prishtinë ka ndjekur me shqetësim publikimin e postimeve të datës 26 shkurt 2024 me etiketime dhe fjalor fyes ndaj gjykatës dhe gjyqtares së kësaj gjykate znj. Edita Çanta, në lidhje me shpalljen e Aktgjykimit të datës 26 shkurt 2024, ku i akuzuar ishte Glauk Konjufca”, thuhet në reagimin e Gjykatës.
Gjykata e Prishtinës e kishte liruar Glauk Konjufcën nga akuzat më 26.02.2024 kryetarin e Kuvendit të Kosovës për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend në vitin 2016.
Tutje në reagimin në fjalë thuhet se këto publikime cenojnë rëndë pavarësinë e gjyqësorit dhe besimin e publikut ndaj sistemit gjyqësor duke shtuar se ato ndikojnë negativisht në pavarësinë dhe paanësinë e gjyqtarëve.
“Këto publikime cenojnë rëndë figurën e gjyqtarit, pavarësinë e tyre dhe besimin e publikut ndaj sistemit gjyqësor dhe si të tilla ndikojnë negativisht në pavarësinë dhe paanësinë e gjyqtarëve në misionin e tyre për dhënien e drejtësisë”, thuhet tutje në reagimin në fjalë.
Në fund të reagimit, Gjykata ka ftuar opinionin publik që të përmbahet në komentimin e vendimeve gjyqësore me arsyetimin se gjykata vendimet i merr në bazë të provave të administruara dhe vendimet e gjykatës së shkallës së parë nuk janë përfundimtare dhe rrjedhimisht mund të vlerësohen nga gjykata e shkallëve më të larta sipas mjeteve të goditjes.
Gjyqtarja e rastit Edita Çanta me rastin e shpalljes së aktgjykimit kishte thënë se nga provat personale dhe materiale nuk është provuar se Konjufca ka kryer veprën penale në fjalë.
Kurse lidhur me pikën e dytë të akuzës ndaj Konjufcës ‘Pengimi i personit zyrtar’, gjykata kishte konfirmuar se e njëjta ka arritur parashkrimin absolut që në gusht të vitit 2022, çka do të thotë se e njëjta nuk mund të ndiqej më penalisht.
Glauk Konjufca gjithashtu ishte liruar nga shpenzimet procedurale dhe paushalli gjyqësor.
Ai nuk ka qenë prezent në gjykatë gjatë shpalljes së vendimit më 26.02.2024.
Sipas aktakuzës së datës 03.02.2017, Konjufca akuzohej për veprën penale, përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm dhe për veprën pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare.
Në aktakuzë përshkruhet se në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të datës 10.08.2016, në cilësi të deputetit, Glauk Konjufca ka hedhur gaz lotsjellës në sallë, me ç’rast është pamundësuar qëndrimi në sallë.
Më 21.02.2024, kryeparlamentari Glauk Konjufca kishte zgjedhur të mbrohej në heshtje para Gjykatës së Prishtinës gjatë dhënies së mbrojtjes së tij.
“Deklaratën kryesore e kam dhënë në fazat e mëhershme të këtij procesi. Asaj i përmbahem, kështu që po e zgjedh opsionin e mbrojtjes në heshtje, të cilën ma mundëson edhe ligji” – kishte thënë Konjufca para gjykatës.