Gjykata e Pejës e ka miratuar kërkesën e Prokurorisë për paraburgim për Shaip Zukajn, i dyshuar për vrasje, tentim vrasje e armëmbajtje pa leje, vepra të kryera në Tregun e Gjelbër të Deçanit më 2011.
Lajmin për caktimin e paraburgimit e ka konfirmuar për KALLXO.com gjyqtari i rastit, Sylë Lokaj.
“Gjykata ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj ndaj të dyshuarit”, tha gjyqtari Lokaj.
Gjatë seancës i pandehuri tha se nuk është i përgatitur që sot të deklarohet.
Shaip Zukaj është arrestuar nga Policia e Belgjikës me 5 janar të këtij vitit në bazë të fletë rreshtimit ndërkombëtar të lëshuar nga shteti i Kosovës, nën dyshimet për vrasje dhe tentim vrasje në vitin 2011 në Deçan.
Zukaj nga fshati Beleg i Deçanit, dyshohet se në vitin 2011 me pushkë automatike ka vrarë Zymer Dervishajn dhe plagosur Adil Thaçin, në tregun e gjelbër të Deçanit.