Site icon Telegrafi

Gjykata e Nishit jep detaje për arrestimin e Thaçit (Video)

Mediat rajonale raportojnë se shefi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçi, është transferuar nga qyteti jugor i Nishit në Beograd, ku me rastin do të merret Prokuroria Speciale për Krim të organizuar.

Iva Popoviq, zëdhënëse e Gjykatës së Lartë të Nishit, tha bëhet fjalë për dy të dyshuar. Por, procedura është në fazë hetimi.

“Është marrë vendim për fillimin e hetimit ndaj të dyshuarit T. A dhe Th. N. pasi ekziston dyshimi se kanë kryer vepër penale terrorizmi. Pasi lënda ka kaluar në përgjegjësi të Gjykatës së Nishit, është dhënë fletarresti dhe në bazë të kësaj N.TH është arrestuar. Gjithçka është dorëzuar në Prokurori dhe kjo i takon Prokurorisë për procedurë të mëtejme”, ka thënë Popoviq për Top Channel.

Thaçi u arrestua në pikëkalimin kufitar Dheu i Bardh mbrëmjes e mërkurës, kur po udhëtonte përmes Serbisë drejt Evropës Perëndimore, në një vizitë private.

Gjykata e Nishit kishte lëshuar një fletarrest në rastin e filluar në vitin 2009 dhe më pas akuzën në vitin 2010.

Pas arrestit, Thaçi ka qenë në Nish, por më pas është transferuar.

Policia serbe ka konfirmuar në një njoftim të shkurtër për shtyp arrestimin e të dyshuarit nga qyteti i Ferizajt. Por, sipas burimeve jozyrtare, në hetim është edhe një person tjetër i cili bashkë me Thaçin, kanë marrë pjesë, siç thuhet, në aksione terroriste.

Thaçi është ish-pjesëtar i UCK-së.

Exit mobile version