Telegrafi

Gjykata e Lartë do të merr objektin e LSM-së

Gjykata e Lartë do t’ia marrë ndërtesën e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë. Kryetari i sindikatës Sllobodan Trendafilov thotë se objekti në kohën kur po ndërtohej kishte të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, një kontratë ndërtimi dhe kushtonte rreth 8 milionë dollarë. Një pjesë e kësaj shume, siç thotë ai, punëtorët e kanë ndarë nga pagat e tyre.

Informacioni u konfirmua nga Gjykata e Lartë. Nga aty thonë se objekti ku ndodhet Sindikata, si dhe toka janë në pronësi të shtetit. Ata shtojnë se në periudhën kur po ndërtohej objekti, të drejtën e pronësisë e kishte një organizatë politike që nuk merrej me aktivitet ekonomik.

“Prona dhe mjetet e ndara për organizatat shoqërore dhe shoqatat e qytetarëve, të marra në shfrytëzim nga ish-bashkësitë shoqërore-politike dhe bashkësitë e interesit vetëqeverisës, janë pronë shtetërore. Gjatë periudhës kur është ndërtuar prona në fjalë, paraardhësi ligjor i të akuzuarit ka qenë një organizatë socio-politike, e cila nuk ushtronte veprimtari ekonomike, për këtë arsye nuk kishte dhe nuk mund të kishte të ardhura të veta për fitimin e pronës”, thonë nga Gjykata e Lartë.

Sindikalistët kërkuan dorëheqjen e kryetares së gjykatës, por Gjykata e Lartë thotë se ajo nuk ka të drejtë të marrë pjesë në raste të tilla dhe as të ndikojë në vendimmarrje.

Për këtë temë është pyetur edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski. Ai tha se nuk komenton vendimet e gjykatave, por se do të jetë gjithmonë në krah të punëtorëve dhe sindikatave. Ai ka shprehur shpresën se objekti do t’i kthehet LSM-së./Telegrafi/