Site icon Telegrafi

Gjykata e Lartë nuk ndryshon masat e sigurisë për Berishën dhe Malltezin

Tre vendime të ndryshme të Gjykatës së Lartë, lanë sot në fuqi masat e sigurisë ndaj ish kryeministrit Sali Berisha, në “arrest shtëpie”, dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, po ashtu në “arrest shtëpie”, të dy nën hetime për procedurat e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani“ në Tiranë.

Në këtë Gjykatë, Prokuroria e Posaçme kishte paraqitur ankimim ndaj vendimit të Apelit të Posaçëm, i cili hoqi masën e arrestit me burg për zotin Malltezi. Ndërkohë që ky i fundit kishte kërkuar që të shuhej kjo masë.

Nga ana tjetër, për zotin Berisha, Gjykata ishte vënë në lëvizje, nga mbrojtësit e ish kryeministrit, të cilët kanë kundërshtuar vendosjen e masave fillestare të sigurisë ndaj tij atë të “detyrimit për paraqitje” dhe të “ndalimit të udhëtimt jashtë vendit”.

Berisha dyshohet të ketë favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, një nga ish pronarët e truallit, mbi të cilin më pas, lulëzoi një kompleks pallatesh, ku ai u përfshi si aksioner.

Dyshimet e prokurorisë janë për “korrupsion pasiv”, nga ana e ish kryeministrit, i cili sipas saj, ka ndërhyrë përmes ndryshimeve ligjore apo vënies së institucioneve shtetërore në shërbim të interesave të dhëndrit. Zoti Malltezi dyshohet po ashtu për korrupsion por dhe “pastrim parash”.

Ai ka hedhur poshtë dyshimet e ngritura deri tani, duke folur po ashtu për një proces “me sfond të pastër politik”. Mbi një numër të madh pasurish të paluajtshme dhe llogarish bankare në emër të tij janë vënë nën sekuestro. /VoA/

Exit mobile version