Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi dënimin me 2 vite burg për Alfred Belerin.
Trupi gjykues i Gjykatës së Lartë, i përbërë nga Ilir Panda, Medi Bici dhe Albana Boksi shqyrtoi sot në dhomë këshillimi kërkesën e Belerit për pezullimin e ekzekutimit të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar lënë në fuqi nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
“Gjykata e Lartë vendosi mospranimin e kërkesës së kërkuesit Dhionisios Alfred Beleri, për pezullimin e ekzekutimit të vendimit nr. 14 datë 05.03.2024 të Gjykatës së Posame të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i lënë në fuqi me vendimin nr.26, datë 25.06.2024 të Gjykatës së Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, njoftoi sot Gjykata e Lartë.
Gjykata e Posaçme e Apelit më 25 Qershor, la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë dhe e dënoi Fredi Belerin me 2 vite burg për blerje votash në Himarë. Ai u arrestua më 12 Maj të një viti më parë, vetëm dy ditë para zgjedhjeve lokale ku rezultoi fitues për kryetar të Bashkisë Himarë.
Pas vendimit të Apelit, KQZ ia hoqi përfundimisht mandatin si kryebashkiak.