Telegrafi

Gjykata e Lartë angleze hedh poshtë ankesën e Telekomit të Kosovës kundër Z-Mobile

Gjykata e Lartë Angleze, me seli në Londër, ka hedhur poshtë ankesën e Telekomit të Kosovës ndaj vendimit të Tribunalit të Arbitrazhit të Odës Ndërkombëtare të Tregtisë (ICC), është bërë e ditur sot nga kjo gjykatë.

Me anë të një njoftimi thuhet se “gjykatësi ka gjetur se paraqitësi i ankesës, përkatësisht Telekomi i Kosovës nuk ka bazë për ankesë dhe se Vendimi i Tribunalit mbetet në fuqi.

Përveç tjerash, Gjykata e Lartë angleze ka caktuar masën e kompensimit të shpenzimeve dhe për këtë rast ndau për Dardafon.net L.l.c shumën prej 65 mijë funtesh”, thuhet në njoftimin.

Tribunali i Arbitrazhit të ICC-së, pas procedurës që ka zgjatur prej dy vjetësh në dhjetor të vitit të kaluar, ka konstatuar shkelje të detyrimeve kontraktuese nga ana e Telekomit të Kosovës.

Vendimi për shkelje të kontratës, i vërtetuar nga ICC-a, konsiston në katër pika themelore, për të cilat arbitrat ndërkombëtarë kanë gjetur shkeljet nga Telekomi i Kosovës: Mosfurnizimi me SIM Kartela, Mosfurnizimi me numra, Mosofrimi i shërbimeve 3G dhe 4G si dhe Ulja e cilësisë së shërbimeve.

Mohimi i këtyre shërbimeve të parapara me kontratë e ka bërë të pamundur funksionimin normal të një kompanie që ofron shërbime të telekomunikacionit.

Telekomi i Kosovës deri më tash nuk e ka bërë asnjë hap përpara në respektimin e kontratës bazë me Dardafon.net L.l.c , e as nuk ka respektuar vendimin e Arbitrazhit të ICC-së.

Pas hedhjes poshtë të ankesës me edhe një vendim gjyqësor ndërkombëtar, të cilës i ishte drejtuar vetë Telekomi i Kosovës, ne presim që të respektohen vendimet sa më shpejtë, në mënyrë që klientët tanë të mos vazhdojnë të humbin nga mungesa e shërbimeve.

Siç e kemi cekur edhe herën e parë, ne, përgjatë gjithë këtyre viteve të vështira, me humbje tepër të mëdha, kemi bërë përpjekje maksimale që të mos e mbyllim kompaninë.

Tribunali i Arbitrazhit të Odës Ndërkombëtare të Tregtisë, e përzgjedhur nga palët kontrakuale gëzon reputacionin si një ndër insitucionet më të besueshme të arbitrazhit për zgjidhjen e kontesteve komerciale në nivel ndërkombëtar.

Dëshirojmë të theksojmë sërish se ne gjatë gjithë kohës kemi shpresuar se mosrespektimin e kontratës do ta zgjidhin me mirëkuptim të drejtpërdrejt nga Telekomi i Kosovës dhe se asnjëherë nuk e kemi dëshiruar që për këtë kontest t’ i detyrohemi të kërkojmë drejtësi pranë arbitrazhit ndërkombëtar.

Ne shpresojmë që vendimi i ICC-së, si dhe tash vendimi i Gjykatës së Lartë Angleze, do ta rikthejë normalitetin në marrëdhëniet ndërmjet dy kompanive me partneritet të mirëfilltë e profesional.

Përfundimisht, përshëndesim edhe ata klientë tonë, të cilët edhe përkundër pamundësisë për të operuar normalisht në tregun e telekomunikacionit – na kanë mbetur besnikë.