Karim Benzema është refuzuar sërish nga Gjykata Supreme e Francës për rastin me Matthieu Valbuenan.
Gjykata franceze hodhi poshtë të hënën ankesën e sulmuesit të Real Madridit, për t’u çliruar nga akuza që e përndjek prej vitit 2015 për përfshirjen e tij të dyshuar në një përpjekje për të shantazhuar shokun e tij të atëhershëm të skuadrës së kombëtares së Francës, Valbuenas.
Gjykatësit e autoritetit më të lartë gjyqësor konsideruan se hetuesit nuk i kaluan kufijtë legjitimë për të marrë prova, në kundërshtim me atë që lojtari pretendonte.
Kjo do të thotë se qëndron në fuqi vlefshmëria e të gjitha atyre provave të mbledhura nga prokuroria, të cilat mund të çojnë Benzeman në bankën e të akuzuarit në fund të procedurës së hetimit.
Sulmuesi që nga atëherë nuk ka zhvilluar asnjë paraqitje me kombëtaren e ‘Gjelave’ dhe Didier Deschamps nuk dëshiron as ta marrë në konsideratë për ta ftuar atë.
Benzema javë më parë kishte bërë të ditur se nëse Franca nuk e do, atëherë do të tentojë të luajë për kombëtaren e Algjerisë.
Algjerianët e kanë refuzuar menjëherë interesimin e tij dhe që nga viti 2015, sulmuesi francez që ka prejardhje algjeriane, ka harruar se si është të luadh në një ndeshje ndërkombëtare. /Telegrafi/