Site icon Telegrafi

Gjykata e Apelit vërteton dënimin me 17 vite burg për vëllanë e reperit Buta, Qëndrim Januzin

Gjykata e Apelit ka konfirmuar vendimin e Gjykatës Themelore të Ferizajt, duke lënë në fuqi dënimin me 17 vite burgim për Qëndrim Januzin, i cili akuzohej për vrasjen e G.H. më 2022 në Ferizaj.

Vendimi i Apelit erdhi pas shqyrtimit të ankesave të ndryshme, duke përfshirë kërkesën e Prokurorisë për një dënim më të lartë dhe ankesën e mbrojtësve të të akuzuarit që kërkonin ndryshimin e akuzës për “vrasje nën tronditje të fortë mendore”.

Në vendimin e Apelit, theksohet se ankesat e palëve nuk ishin të bazuara. Prokuroria e Ferizajt, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, dhe mbrojtësit e të akuzuarit kishin paraqitur ankesa, duke kërkuar ndryshimin e aktgjykimit për shkak të supozueseve shkelje të procedurës penale dhe vërtetimit të gabuar të faktit. Megjithatë, Gjykata e Apelit vlerësoi se aktgjykimi i shkallës së parë ishte i saktë dhe i bazuar në prova të mjaftueshme, sipas raportimit të Betimi për Drejtësi.

Në analizën e Apelit, theksohet se nuk ka pasur shkelje të dispozitave të procedurës penale dhe se aktgjykimi është i qartë dhe mbështetet në provat materiale, përfshirë dëshmitarët dhe ekspertizën psikiatrike. Gjykata vlerësoi se nuk mund të provohej se G.H. kishte vepruar në mënyrë provokuese ndaj Januzit, siç ishte pretenduar nga mbrojtja, dhe kështu nuk kishte bazë për të shpallur Januzin fajtor për vrasje të kryer nën ndikimin e tronditjes së fortë mendore.

Apeli gjithashtu mbështeti vlerësimin e Gjykatës Themelore që veprën e vrasjes e përbënte një veprim të menduar, me një motiv të qartë, dhe jo një vrasje të kryer nën ndonjë ndikim të jashtëzakonshëm emocional. Dënimi i 17 viteve burgim u vlerësua si i drejtë, duke marrë parasysh faktorët lehtësues, si pranimi i pjesëmarrjes së fajit dhe gjendja shëndetësore e të akuzuarit, por edhe rrethanat rënduese të mënyrës së kryerjes së krimit.

Ky vendim përfundimtar mbyll një periudhë të gjatë shqyrtimi për Januzin, i cili kishte një histori të mëparshme penale, dhe ndihmon për të sqaruar një ngjarje tragjike që ndodhi më 2022. /Telegrafi/

Exit mobile version