Gjykata e Apelit e Kosovës gjatë tre mujorit të parë të vitit 2017 ka kryer gjithsej 2.761 lëndë. Prej tyre 899 në lëndë civile, 406 penale të përgjithshme, 19 penale për të mitur, 178 penale – krime të rënda, 238 penale të ndryshme, 633 ankesa kundër paraburgimeve, 108 lëndë administrative, 51 ekonomike dhe 229 kundërvajtje.
Sipas njoftimit për media në bazë të kësaj del se secili gjyqtar, prej 34 sa ka aktualisht kjo gjykatë, ka kryer mesatarisht nga 81 lëndë në tre muaj ose nga 27 në muaj.
Pavarësisht këtij angazhimi, numri i lëndëve të pazgjidhura është 12 025, shifër kjo tejet e lartë. Kjo ngase Gjykata e Apelit, e ka filluar vitin 2017 me 11.206 lëndë të pakryera, ndërsa gjatë tre mujorit të parë të viti 2017 kanë ardhur edhe 3.520 lëndë të reja.
Gjykata e Apelit konsideron se e vetmja mënyrë për ta zbutur këtë gjendje është shtimi i gjyqtarëve dhe stafit mbështetës.
“Aktualisht ky institucion është në pritje të dekretimit edhe të 4 gjyqtarëve, ndërsa janë duke u zhvilluar procedurat e rekrutimit për 5 bashkëpunëtor profesional dhe 10 zyrtar ligjor. Megjithatë edhe ky numër është i pamjaftueshëm në krahasim me numrin e madh të lëndëve të pazgjidhura. Ndaj është e domosdoshme që të shtohet numri i gjyqtarëve të paktën edhe për 15, si dhe të dyfishohet numri i bashkëpunëtorëve dhe zyrtarëve ligjor”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/