Site icon Telegrafi

Gjykata e Apelit në Prishtinë sot shqyrton ankesën e gjeneralit Milan Bojoviq

Pas pak para Gjykatës së Apelit në Prishtinë do të fillojë seanca ndaj ish-gjeneralit serb, Milan Bojoviq, i dyshuar për krime lufte të kryera në Kosovë.

Gjykata e Apelit do të shqyrtojë ankesën e tij kundër dënimit me një muaj paraburgim nga shkalla e parë, raporton “Koha Ditore”.

Milan Bojoviq, ishte nisur nga Serbia ditë më parë drejt Kosovës, përkundër dyshimeve për krimet që i kishte bërë në anën e Llapit. Ai kishte kaluar pa asnjë problem në pikën kufitare në Merdarë.

Por pasi që kishte arritur të futej në disa prej fshatrave të Llapit, banorët e këtij rajoni e kishin identifikuar Bojoviqin dhe menjëherë kishin njoftuar Policinë e Kosovës.

Gjenerali serb u arrestua po atë ditë nga Polica e Kosovës, për kalim ilegal të kufirit, nga ku i njëjti ishte larguar njëherë për në Serbi nën pretekstin që nuk mund t’i ofronin siguri.

Gjykata Themelore në Prishtinë-Dega në Podujevë ia ka shqiptuar dënimin prej një muaji burgimi ish-gjeneralit Milan Bojoviq. Deri sot, edhe pse faktet dhe dëshmitarët e rajonit të Llapit tregojnë për krimet e kryera nga Bojoviq, drejtësia në Kosovë nuk ka nxjerrë ndonjë aktakuzë apo fletarrest ndaj tij.

Në vitet ’98-99, Milan Bojoviq ishte gjeneral i ushtrisë jugosllave dhe njihej si njeri shumë i afërt i Sllobodan Millosheviqit.

Bojoviq në kohën e luftës në Kosovë kishte përgjegjësi komanduese dhe dëshmitarët tregojnë se ai ka udhëhequr forcat ushtarake serbe në kryerjen e krimeve kundër civilëve në rajonin e Llapit, ku u vranë 499 shqiptarë.

Exit mobile version