Telegrafi

Gjykata e Apelit lë në burg Belerin, reagojnë avokatët grekë: S’ka vendim që e ndalon të bëjë betimin

Asambleja e Dhomave të Avokatisë Greke ka reaguar, këtë të hënë, pasi Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në qeli Fredi Belerin, i akuzuar për shitblerje votash. Në këtë mënyrë, vendimi i sotëm i gjykatës rrëzon për herë të gjashtë kërkesën e Fredi Belerit për ndryshimin e masës së sigurisë.

Në reagimin e Asamblesë së Dhomave të Avokatisë Greke theksohet se, sipas tyre, ky vendim është në shkelje të tri neneve në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, e po ashtu në shkelje të parimit të proporcionalitetit. “Edi Rama të lejojë Belerin të bëjë betimin si kryetar i zgjedhur. Në fakt, nuk ka asnjë vendim gjykate që e ndalon Belerin të bëjë betimin”, thuhet më tej në këtë reagim.

Ndërkohë, seanca e sotme e apelit u ndoq nga ambasadorja greke Kostandina Kamitsi dhe kreu i PBDNJ, Vangjel Dule. Një ditë më parë, ishte dhe vetë kryeministri grek, Mitsotakis, ai që kërkoi lirimin e Belerit, duke thënë se kjo çështje po hedh hije në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Më 14 shtator, Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, vendosi të kalojë për gjykim çështjen e Belerit, i arrestuar me akuzën e Korrupsionit aktiv në zgjedhje. Beleri u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit. Sipas prokurorisë, ai ka ofruar para në këmbim të votave në favor të tij.