Një Kolegj i Gjykatës së Apelit, i përbërë nga dy gjyqtarë ndërkombëtarë dhe një vendas, ka vendosur lidhur me ankesën e Prokurorisë Speciale kundër aktgjykimit lirues të Gjykatës Themelore të Mitrovicës për një rast të krimeve të luftës kundër popullatës civile.
“Ky Kolegj i Apelit me votim unanim vendosi që aktgjykimin e shkallës së parë ta anulojë pjesërisht dhe lëndën ta dërgojë në rigjykim”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit.
Gjykata Themelore e Mitrovicës me anë të Aktgjykimit të saj të nxjerrë më 29 maj të vitit 2014 i liroi të pandehurit Ismet Haxha, Shefki Hyseni, Nexhat Qubreli dhe Sylejman Selimi nga të gjitha pikat e akuzës për kryerje të veprës penale krime të luftës kundër popullatës civile.
Pas seancës publike më 5 prill të këtij viti, Kolegji i Apelit në mënyrë unanime e vërtetoi lirimin e të pandehurve Ismet Haxha dhe Nexhat Qubreli në lidhje me cenimin e integritetit trupor dhe shëndetit të një femre civile shqiptare e Kosovës dhe torturimin e një femre tjetër civile shqiptare e Kosovës nga ana e të pandehurve pasi që asnjë prej provave nuk i ka ndërlidhur në mënyrë të bindshme këta dy të pandehur me këto vepra.
“Megjithatë, Kolegji i Apelit vlerësoi se lënda duhet të dërgohet në rigjykim në lidhje me identifikimin e të pandehurit S.S, përfshirjen e të pandehurit I.H. në ekzekutimin e simuluar dhe identifikimin e Sh. H. në rastin e përdhunimit”, thuhet në njoftim.