Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka caktuar sot masën nga një muaj paraburgim ndaj të pandehurve F.R., dhe SH.B.., për shkak të dyshimeve se kanë kryer veprën penale kontrabandimi me migrantë sirianë.
Në njoftimin e bërë nga Gjykata Themelore në Prizren thuhet se, dy të pandehurit janë kapur më datë 20 shtator, në orët e mesditës në autostradën “Ibrahim Rugova” – aksin rrugor Vërmicë – Prizren, teksa po bartnin në dy vetura 9 shtetas sirianë.
Këta të fundit u janë nënshtruar procedurave të rregullta nga autoritetet kompetente të emigracionit.
Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit. Ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij. /Telegrafi/