Borjan Gjuzellov, nga Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar, në 10 minuta në Tv21 tha se derisa nuk sanohen shkaqet që çuan deri në këtë krizë politike, Maqedonia do të mbetet e bllokuar në labirint. Gjuzellov thotë se, vendi do të jetë në rrugën e duhur, atëherë kur do të dëshmojë se Ligji dhe Kushtetuta vlejnë në mënyrë të barabartë për të gjithë qytetarët, duke mos pasur parasysh se a janë funksionarë apo jo.
Prandaj, thotë ai, hapi i parë për kthimin e besimit në sistemin ligjor është tërheqja e plotë e vendimit për falje.
“Derisa arsyet e krizës nuk zgjidhen, ne nuk mund të flasim për dëmin e shkaktuar nga kriza. Dëmin e vendit e shkaktojnë pikërisht arsyet. Ato janë mosndarja e partisë nga shteti, mosrespektimi i parimeve të ndarjes së pushtetit, ndërhyrja në punën e pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, pastaj liria e mediave, lista e papastruar zgjedhore, etj…” tha Borjan Gjuzellov – QMBN
Në qoftë se ka disa sanksione nga ana e BE-së, ato do t’iu referohen zyrtarëve të caktuar, e jo shtetit, tha Gjuzellovi, i cili vlerëson se zvarritja e krizës, dërgon jashtë vendit një imazh se në Maqedoni nuk ka një sistem të qëndrueshëm kushtetues dhe ligjor e as institucione të forta./Telegrafi/