Site icon Telegrafi

Gjurmët e periudhës së neolitit në Kosovë

Nga: Gëzim Llojdia

Kosova është një vend ku potenciali arkeologjik është i pambarimtë. Dhjetëra lokalitet arkeologjike nga rreth 400 gjithsej të evidentuara në territorin e Kosovës deri më tani dhe të regjistruara në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme të Republikës së Kosovës, janë të fokusuara nën një guidë të Kosovës e cila tregon edhe seriozitetin e punës duke bërë jo vetëm identifikimin, por edhe përcaktimin e vendndodhjes si dhe të dhëna të tjera shkencore për zbulimet e territoreve arkeologjike që runa brendia dhe krejt toka e Kosovës.

Edi Shukriu, duke folur në një intervistë për pasuritë arkeologjike që ka Kosova, ajo shprehet: “Një varg i lokaliteteve dhe i objekteve arkeologjike e meritojnë të përmenden me këtë rast, sepse Kosova ka thesar të vlefshëm arkeologjik dhe mjaft atraktiv, madje edhe për syrin e një vizitori. Sot dimë për shumë qendra dhe zona arkeologjike, peizazhe arkeologjike dhe monumente të luajtshme, për disa prej të cilave duhen jo shumë investime për t’i bërë atraktive për vizitorë. I tillë është kompleksi trashëgimor i Artanës/Novo Bërdës, Ulpianës, Vendenisit te Gllamniku, Municipiumit DD te Soçanica, Gradina e Llapushnikut, e Vlashnjës e shumë të tjera, përfshirë dhe komplekset e trashëgimisë ortodokse, që sot, mjerisht, mbahen të izoluara dhe që, pos që janë trashëgimi arkitektonike mesjetare, përmbajnë edhe trashëgimi arkeologjike. Nga objektet e luajtshme arkeologjike që kanë vlera shumëdimensionale shkencore e kulturore, do të veçoja Monumentin epigrafik të Hyjneshës dardane nga Smira me labirintin rrethor unik, pikturimin shkëmbor parahistorik të Vlashnjës me drerin dhe shumësinë e spiraleve, hyjneshat neolitike që nga ato të Tjerrtores së Prishtinës, Bardhoshit, Varoshit, Mitrovicës e të tjera, si dhe Monumentin mortor nga Dardana/Kamenica, si monument guror unik dhe i rrallë që i takon kohës së ekzistimit të shtetit dardan dhe që përmban tradita etnologjike para pushtimeve romake”.

Jusuf Osmani shkruan: ”Gjurmët e para të banimit në Kosovë datojnë nga neoliti i hershëm (6000 vjet para e.r.). Këto gjurmë janë verifikuar dhe dokumentuar me gjetje nga hulumtimet sistematike arkeologjike. Rezultatet e fituara dëshmojnë për një civilizim të lartë të periudhës së neolitit. Koha e neolitit sipas studiuesve: përfaqëson etapën e fundit dhe njëkohësisht më të zhvilluarën të epokës së gurit. Ai përfshin një kohë, që fillon nga mijëvjeçari i shtatë dhe mbaron nga fundi i mijëvjeçarit të katërt p.e.s.”

Arkeologjikisht neoliti ndahet në tri periudha të mëdha: e hershme, e mesme dhe e vonë.

Duke analizuar gjetjet dhe vendet arkeologjike të kësaj periudhe të rëndësishme, thuhet se territori i Vlashnjes gjendet në sipërfaqen e sheshtë të një tarrace shkëmbore (335 metra lartësi mbi detare) në krahun e djathtë të rrugës Prizren-Zhur, rreth gjashtë kilometra në perëndim të Prizrenit. Në po këtë material theksohet se edhe vazhdimësia e jetës gjatë disa periudhave kohore si neolit i hershëm (kultura e Starçevës), neolit i vonë dhe i mesëm (kultura e Vinçës), eneolit (periudha e bakrit), periudha e bronzit, epoka e hekurit, si dhe periudhat e antikitetit të vonë dhe të mesjetës së hershme. Materiali arkeologjik i zbuluar në këtë lokalitet hulumtuar në disa sezone që pas viteve dy mijë të mileniumit tonë, nxori në pah fragmente të shumta të enëve nga argjila e pjekur, vegla pune nga guri, stralli dhe kocka. Fragmente të ndryshme të qeramikës me pikturim me vija gjeometrike janë dëshmuar këtu. Po ashtu edhe thika stralli, këto të epokës së neolitit, gjegjësisht të Kulturës së Starçevës, mileniumi i gjashtë, p.e.s.

Figurina të ndryshme antropomorfe janë zbuluara gjatë gërmimeve të dekadës së parë të mijëvjeçarit të dytë (2002-2010), nga të cilat spikatet një figurinë antropomorfe, një ekzemplarë tipik për Kulturën e Starçevës.

Muzafer Korkuti thotë: “Në kuadrin e projektit të përbashkët midis Institutit Arkeologjik Tiranë e Institutit Arkeologjik Prishtinë, gjatë tri viteve të fundit po bëhen gërmime me karakter shpëtimi në vendbanimin prehistorik të Vlashnjës. Drejtuesit e projektit, A.Bunguri e Sh.Gashi, më krijuan mundësinë për të parë pikturën dhe më vunë në dispozicion dokumentacionin e nevojshëm grafik e fotografik për pikturën shkëmbore të Vlashnjës. Piktura e Vlashnjës ndodhet 1,5 kilometra në perëndim të vendbanimit, pranë vendit ku lumi i Prizrenit bashkohet me Drinin e Bardhë. Në një lartësi rreth 30 metra nga niveli i lumit, mbaron pylli me shkurre e lartësohen tri masive shkëmbore, të cilat me kontrastin që krijojnë me ambientin kanë një bukuri të veçantë. Pikërisht në strehën që formon njëri nga masivet shkëmbore, mendja dhe dora e njeriut neolitik ka ngulitur në faqen e shkëmbit pjesë të botës mistiko-religjioze të jetës së tyre. Piktura është realizuar në tri plane, dy plane vertikale dhe një plan horizontal (në tavan). Faqja e shkëmbit është në formë brezash-pllakash, gjë që ka kushtëzuar edhe realizimin e pikturës në tri pjesë në një sipërfaqe prej 16 metra katrorë. Në tavanin e strehës janë vizatuar tetë spirale të bëra me vija të trasha me bojë të kuqe okër. Katër spiralet e para janë vendosur në grup në një distancë 20-40 centimetra larg nga njëra tjetra. Spiralet që janë ruajtur të plota e kanë diametrin maksimal 34 centimetra. Në të djathtë të grupit të parë, me largësi 70 centimetra është vizatuar një spirale dyshe, me diametrin e madh 80 centimetra dhe të voglin 37 centimetra. Në planin e parë (vertikal), në një sipërfaqe prej 2,10mx 0,50m, janë vizatuar një kaproll dhe dy spirale”.

Trualli i banuar sot nga shqiptarët, ku bën pjesë edhe territori i sotëm i Kosovës, shkruan guida turistike , filloi të popullohej shumë herët, që në epokën e paleolitit (gurit të vjetër), mbi 100 mijë vjet më parë. Janë të njohura një numër i madh vendbanimesh të tilla në territorin e sotëm të Kosovës, siç janë shpellat e Radacit dhe Karamakazit, si dhe shpella të tjera më të vogla. Popullimi i territorit të sotëm të Kosovës u rrit shumë në periudhën neolitike. Njerëzit filluan të braktisin shpellat dhe të përqendroheshin në vende të hapura. Banorët neolitike pëlqenin më shumë të ndërtonin kasollet e tyre në fusha dhe në tarraca lumore të qëndrueshme, me ekonomi kryesisht bujqësore. Për Guvën e Mrrizit me simbolin e pikturuar të spirales thuhet se: paraqet një vepër të botës artistike shpirtërore të banorëve prehistorikë të këtij lokaliteti (vend kulti). Guva shkëmbore e këtij pikturimi ndodhet rreth 1,5 kilometra në perëndim të vendbanimit të Vlashnjes në fshatin fqinj Kobaj.Nga shumë gjetje të periudhave të ndryshme historike zbuluar në Vlashnje, spikat një monedhë argjendi e emetuar në vitin 55 p.e.s. Monedha ka një peshë prej 3.72 gramë dhe ishte vënë në qarkullim për nder të edilit të Kretës, Gnaeus Plancius.

Exit mobile version