Drejtori i Zyrës serbe për Kosovën, Marko Gjuriq është takuar sot me drejtoreshën e përgjithshme për Çështje Politike në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Suedisë, Anna-Karin Eneström me të cilën ka folur për dialogun Prishtinë-Beograd.
Gjuriq dhe Enstrom u pajtuan se me arritjen e marrëveshjes për telekomunikacionin është bërë progres i rëndësishëm në normalizimin e marrëdhënieve dhe se dialogu dhe zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara duhet të vazhdojnë me të njëjtin konstruktivitet, raportojnë mediat serbe, transmeton Klan Kosova.
“Prishtina me arritjen e marrëveshjes mbi telekomunikacionin ka mbetur pa justifikim për bllokimin dhe shtyrjen e mëtejshme të formimit të Asociacionit të komunave serbe”, ka thënë Gjuriq dhe ka shtuar se hapi tjetër në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit është dashur të jetë miratimi i dekretit për themelimin e AKS-së.
Asociacioni i Komunave Serbe, tha ai, duhet të formohet në përputhje me marrëveshjet e rëna dakord në Bruksel, për shkak se sipas tij çdo gjë tjetër do të thoshte shmangie nga obligimet dhe procesi i dialogut, transmeton Klan Kosova.