Marko Gjuriq, drejtor i Zyrës për Kosovën dhe Metohinë, siç quhet në Qeverinë e Serbisë, thotë se Serbia pret organizimin e zgjedhjeve të saj edhe në Kosovë. Modeli i organizimit përmes OSBE-së do të zbatohet edhe me 24 prill.
“Zgjedhjet parlamentare do të mbahen në territorin e Kosovës e Metohisë dhe ato do të mbahen mbi parimet e njëjta sikurse në vitin 2014, pra vendvotimet do të jenë të hapura dhe të gjithë qytetarët që kanë të drejtë vote dhe janë në lista, do të mund ta shfrytëzojnë këtë të drejtë”, shprehet Marko Gjuriq, për Top Channel.
Gjuriq, i cili mjaft shpesh viziton Kosovën dhe një nga njerëzit më aktiv rreth kësaj çështje, thotë se Serbia është e interesuar të krijoj marrëdhënie të mira me të gjithë shqiptarët, duke i konsideruar si popujt më të mëdhenj në Ballkan.
“Asociacioni i Komunave Serbe është një mekanizëm i domosdoshëm mbrojtës dhe garantues i mbijetesës së serbëve. Ajo nuk do t’ia mohoj askujt të drejtat. Asociacioni i komunave serbe nuk pretendon të vendos për të tjerët dhe ajo nuk ka për qëllim të ndaj njerëzit apo territoret apo diçka tjetër. Ajo ka për qëllim vetëm të jap serbëve pak më shumë të drejta”, tha ai.