Site icon Telegrafi

Gjuriq: Në zgjedhjet e Kosovës do të marrin pjesë edhe grupet serbe që punojnë për shqiptarët

Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka deklaruar se autoritetet politike të Kosovës mund t’i shfrytëzojnë matematikat zgjedhore për të vënë kontrollin mbi 4 nga 10 deputetët serbë për të realizuar qëllimet e tyre.

Ai ka shtuar se qëllimet e Prishtinës zyrtare janë – formimi i ushtrisë, ndryshimet kushtetuese dhe zvogëlimi i të drejtave të serbëve, transmeton Telegrafi.

Gjatë një interviste dhënë televizionit të Vojvodinës, ai është shprehur i bindur se serbët e Kosovës nuk do të marrin pjesë në masë të madhe në zgjedhjet e 11 qershorit, edhe pse sipas tij ekzistojnë “mikro grupe që financohen nga Prishtina”.

Gjuriq beson se ata serbë që “kanë pranuar të jenë pjesë e folklorit të sponsorizuar nga shqiptarët”, rrënojnë interesat serbe.

Ai thotë se Asociacionit të komunave me shumicë serbe i nevojitet uniteti dhe fitorja e domosdoshme e një partie – Listës Serbe e cila “me një disiplinë ushtarake në Kuvendin e Kosovës mbrojnë interesat e tyre”, kurse Qeveria e Serbisë dhe Presidenti i ri Aleksandar Vuçiq “do të përkrah përfaqësuesit për të pasur rezultatet më të mira për Asociacionin e komunave serbe”.

Gjuriq gjithashtu ka deklaruar se Serbia nuk do të lejojë që çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë të “futet nën tepih”.

I pyetur rreth formimit të partisë së re në krye të cilës është ish-lideri i Listës Serbe, Aleksandar Jabllanoviq, Gjuriq ka thënë se “nuk dëshiron të merret me politikanë të errët të cilët në mënyrë direkte janë në funksion të shqiptarëve të Kosovës”.

Për ta sqaruar më mirë situatën, ai ka thënë se nuk i është referuar Oliver Ivanoviqit, liderit të Iniciativës Qytetare, si një “politikan i errtë”, por për ata që në vitin 2008 dhe më vonë votuan pavarësinë e Kosovës dhe ligjet që zvogluan të drejtat e serbëve, kurse në mesin e tyre e ka futur liderët e partisë së Pavarur Liberale dhe të partisë Progresive Demokratike, Sllobodan Petroviq dhe Nenad Rashiq.

Ndërkaq i pyetur se kur planifikon të shkojë në Kosovë, duke marrë parasysh faktin që më 9 maj i është ndaluar hyrja, Gjuriq ka deklaruar se “do të vazhdojë të shkojë në Kosovë”. /Telegrafi/

 

 

 

Exit mobile version