Site icon Telegrafi

Gjuriq konfirmon letrën kërcënuese, e quan Brezovicën pasuri të Serbisë

Marko Gjuriq, drejtor i Zyrës për Kosovë, e ka konfirmuar letrën dërguar kompanive të përfshira në konsorciumin për Brezovicën. Këtë e ka bërë duke reaguar ndaj shkrimit të “Kohës Ditore” për kërcënimet që kanë marrë kompanitë ndërkombëtare, disa ditë pasi janë zotuar për investimin e miliona eurove në resorin “Brezovica”.

Gjuriq ka thënë se kërcënimet e vetme vijnë nga autoritetet e Prishtinës, të cilat, sipas tij, publikisht janë kërcënuar se duan ta uzurpojnë pasurinë serbe.

“I vetmi kërcënim që ekziston është kërcënimi i thënë publikisht për pasurinë tonë në Brezovicë. Ata na janë kërcënuar hapur se po e uzurpojnë pasurinë tonë në Bezovicë”, ka thënë lidhur me letrën kërcënuese që ai ua ka dërguar investitorëve potencialë, për të cilën ka shkruar “Koha Ditore”.

Ka thënë se investitorëve u është thënë se duhet të flasin me Serbinë për Brezovicën.
“Ne vetëm i kemi njoftuar investitorët potencialë se investimet janë të mirëseardhura, porse për investime duhet biseduar me pronarët e jo me ata që duan të uzurpojnë pasuri”, ka thënë Gjuriq për gazetën “Blic” të Beogradit.

Gjuriq, madje, e ka konfirmuar edhe kërcënimin me padi. Ka thënë se bisedimet me ata që duan të uzurpojnë pasurinë e huaj janë të pakuptimta dhe se investitorët në këtë rast do të binin pre e ligjeve, vendore dhe ndërkombëtare.

Në ndërkohë, Qeveria e Kosovës nuk ka bërë asnjë reagim. Nuk është folur as në mbledhjen e Qeverisë dhe as në Kuvendin e Kosovës, shkruan sot Koha Ditore.
/Telegrafi/

Exit mobile version