Zyrtarët serbë në Beograd vazhdojnë të kërcënojnë se në mënyrë të njëanshme do ta formojnë Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë.
Drejtori të ashtuquahturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë se nëse Prishtina deri në mes të shkurtit nuk e formon Asociacionin, atë do ta formojnë përfaqësuesit politikë serbë.
Gjuriq ka thënë se “i ka ardhur fundi durimit” dhe “nëse shqiptarët kanë mundur që njëanshëm ta shpallin pavarësinë, edhe serbët mund ta formojnë AKS-në”.
“Fundja, ky nuk do të ishte hap i njëanshëm, pasi që kjo përkrahet me marrëveshjen e Brukselit”, ka thënë Gjuriq, për televizionin serb “Pink”, transmeton Telegrafi.
Ai ka folur edhe për arrestimin e liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj.
“Serbia nuk do t’i harrojë krimet për të cilat ai dyshohet. Askush nuk ka të drejtë të kërkojë nga Serbia që të heq dorë nga këto aktakuza”, ka thënë Gjuriq. /Telegrafi/