Në kuadër të dialogut teknik në mes Kosovës dhe Serbisë është arritur marrëveshja e cila pengon heqjen e tabelave për Republikën e Kosovës dhe Serbinë. Tani automjetet që vijnë nga Serbia dhe ato që nga Kosova shkojnë në vendin fqinj do t’i mbulojnë simbolet e targave me letërngjitës.
Kësaj marrëveshje i është gëzuar shumë, shefi i të ashtuquajturës Zyrës për Kosovë, Marko Gjuriq i cili ka thënë se delegacioni i Beogradit është i kënaqur me marrëveshjen, raporton tanjug, transmeton lajmi.net.
Sipas Gjuriq marrëveshja e harmonizuar e ka ndryshuar marrëveshjen më të keqe për Serbinë bërë në vitin 2011, e cila, ka thënë ai, parashihte suspendimin e tabelave me regjistrim serb në Kosovë, ndalimin e dhënies së tabelave të regjistrimit të Serbisë në Kosovë si dhe suspendimin e dhënies së tabelave neutrale me shenjën KS.
”Kemi penguar që tabelat në të cilat shkruan RKS dhe që kanë stemën e Kosovës të mos hyjnë në territorin e Serbisë dhe ato të mbulohen me një shirit të bardhë. Kjo do të vlejë edhe për tabelat serbe në Kosovë ndërsa zbatimi i saj do të nisë më 15 nëntor”, ka thënë Gjuriq.
Marko Gjuriq ka konfirmuar se ky raund i bisedimeve në Bruksel ka bërë disa përparime në fushën e marrëveshjes për telekomunikacionin.
Bisedimet për telekom do të vazhdojnë më 26 shtator në Bruksel.