Telegrafi

Gjuriq: Është në interes të Serbisë dialogu me Kosovën

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë se dialogu me Kosovën është në interes të Serbisë dhe se do të dëshironte që Prishtina dhe Beogradi të arrijnë marrëveshje.

Gjuriq, duke folur në televizionin publik serb RTS, ka thënë se është në interes të Beogradit të dialogojë, por marrëveshja eventuale duhet të jetë në interes të popullit serb, përcjell Telegrafi.

“Nuk mund të ketë kurrfarë marrëveshje që do të ishte vetëm në interes të shqiptarëve. Në qoftë se arrijmë marrëveshje që do të kënaqte apo edhe dëshpëronte në të njëjtën masë të dyja palët, shqiptarët dhe serbët,  kjo do të ishte pozitiva”,  tha Gjuriq.

Ai tha e Serbia asnjëherë nuk iu ka ikur bisedimeve.

“Edhe presidenti Vuçiq publikisht ka bërë thirrje për bisedime lidhur me marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve”, tha ai, duke shtuar se “dialogu i brendshëm për këtë çështje është i rëndësishëm për Serbinë”

Gjuriq kritikoi të gjithë ata që e sulmojnë Vuçiqin për shkak të thirrjes për dialog, duke thënë se këtu qëndron edhe dallimi mes burrështetasve dhe politikanëve.

“Politikanët mendojnë vetëm për zgjedhjet e ardhshme. Burrështetasit mendojnë se si gjeneratave të ardhshme të mos u lënë barrë nga e kaluara dhe si të zgjidhin probleme të ndryshme”, tha Gjuriq. /Telegrafi/