Site icon Telegrafi

Gjuriq: Enver Hoxha ka vdekur – nga Shqipëria e Madhe nuk ka dhe nuk do të ketë asgjë

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, Marko Gjuriq ka thënë se deklarata nga ministri i Diasporës së Shqipërisë, Pandeli Majko se nga janari kufiri në mes Shqipërisë do të jetë i hapur është joserioze dhe e papërgjegjshme.

Madje, sipas tij, shkruajnë mediat serbe, përcjell Telegrafi, një deklaratë e tillë shërben vetëm për të përkeqësuar më tej marrëdhëniet në rajon.

“Enver Hoxha është i vdekur, ndërsa nga Shqipëria e madhe nuk ka dhe nuk do të ketë asgjë. Kosova dhe Shqipëria nuk kanë asnjë kufi, por është kufiri mes Serbisë dhe Shqipërisë dhe ky me një gjatësi prej 111 kilometrash”, ka thënë Gjuriq.

Ndryshe, siç kanë raportuar mediat, ministri i Diasporës i Shqipërisë, Pandeli Majko, mbrëmë u tha kosovarëve se nga data 1 janar nuk do të ketë kufi mes Kosovës dhe Shqipërisë. Këtë deklaratë e dha në Skenderaj gjatë një manifestimi kushtuar mërgimtarëve.

Sipas Gjuriqit, kufiri ndërmjet Serbisë e Shqipërisë shtrihet nga Maqedoni – Shqipëri – Serbi deri te kufiri Serbi-Mali i Zi-Shqipëri.

“Sipas Rezolutës 1244 ne jemi ata që kanë të drejtë të shfrytëzojnë pikën kufitare te Qafa e Prushit dhe Vërmica dhe aty kemi stafin tonë, por kjo duket se nuk i intereson askujt. Ashtu sikurse askush në bashkësinë ndërkombëtare nuk kujdeset për deklarata të tilla nxitëse dhe kërcënuese të cilat çdo ditë vijnë nga përfaqësues të ndryshëm shqiptarë”, ka thënë Gjuriq, duke kujtuar se deklarata është bërë në prani të përfaqësuesve më të lartë të Kosovës – Ramush Haradinajt dhe Hashim Thaçit. /Telegrafi/

Exit mobile version