Drejtori i të ashtuquajturës Zyre serbe për Kosovën, Marko Gjuriq u takua me kreun e misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, me të cilin ka biseduar për “organizimin e zgjedhjeve lokale të 22 tetorit.
Gjuriq ka thënë se është e rëndësishme që këto zgjedhje të mbahen në një atmosferë demokratike dhe të parandalohen parregullsitë e mundshme dhe përpjekjet për të sfiduar të drejtën e votës së serbëve të zhvendosur të cilët do të votojnë në Kosovë, raportojnë mediat serbe, transmeton Klan Kosova.
Drejtori i të ashtuquajturës Zyre serbe për Kosovën ka shprehur shqetësim në lidhje me siç ka thënë “përpjekjet e disa partive politike në komunat me shumicë serbe që artificialisht të krijojnë një atmosferë të tensionit dhe paraprakisht të delegjitimojnë procesin zgjedhor”.
Gjuriq edhe njëherë falënderoi shefin e OSBE-së për “angazhimin e tij personal në mbrojtjen e të drejtave dhe pozitën e popullit serb në Kosovë”.