Site icon Telegrafi

Gjuriq: Beogradi do ta mbrojë Trepçën në çdo mënyrë

Drejtori i Zyrës për Kosovën, Marko Gjuriq, ka thënë sot se autoritetet në Prishtinë përmes projektligjit për Trepçën duan ta shtetëzojnë këtë kombinat, por kjo sipas tij nuk do të kalojë dhe se Beogradi do ta mbrojë Trepçën në çdo mënyrë.

“Retë e zeza janë përsëri mbi Trepçë. Bëhet fjalë për kapjen e konglomeratit – autoritetet e Prishtinës janë duke u përpjekur ta shtetëzojnë Trepçën”, ka thënë Gjuriq për mediat serbe, përcjell Telegrafi.

Sipas tij, është riaktivizuar përpjekja e vitit të kaluar, kur autoritetet e Prishtinës përmes një ligji të veçantë për Trepçën u përpoqën të shtetëzojnë Trepçën.

Sipas medieve serbe, Gjuriq ka thënë se Beogradi në mënyrë të përsëritur ka kërkuar që për Trepçën, por edhe për pronat tjera të diskutohet në Bruksel, por sipas tij, kjo gjë ka hasur në “vesh të shurdhër” tek institucionet e Prishtinës.

Gjuriq ka vlerësuar se projektligji për Trepçën është shfaqur nga askundi dhe se kjo çështje nuk është diskutuar me përfaqësuesit serbë.

Ai ka shtuar se pala serbe është duke u përpjekur për të nxitur bisedimet, për shkak se sipas tij, çështja e pronave duhet të zgjidhet nëpërmjet bisedimeve, për shkak se siç ka thënë ai “ajo është një pasuri e Fondit për Zhvillimin e Serbisë, por edhe disa kompanive të huaja aksionarë”.

“Problemi më i madh dhe sfida më e madhe nuk është vetëm në qindra miliona, ndoshta miliarda euro, problemi është për më shumë se 3.000 të punësuar, drejtat e të cilëve janë shkelur. Qeveria serbe do të mbrojë interesat e tyre dhe nuk do të lejojë askënd të largohet, pa të ardhura dhe në rrugë”, ka thënë ndër tjerash Gjuriq. /Telegrafi/

Exit mobile version