Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka pritur në takim presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq.
Rama e ka nderuar Gjukanoviqin me “Çelësin e Qytetit”.
“Nder i madh të mirëpresim sot këtu në Kryeqytet, Presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq! Në shenjë mirënjohjeje e respekti, me përzemërsinë më të madhe, Gjukanoviq i dorëzuam çelësin e Kryeqytetit, duke synuar forcimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve mes dy shteteve tona në çdo aspekt. Jemi, e do të mbetemi fqinj të mirë për sa kohë të ketë jetë mbi tokë”, tha kryetari Rama.
Gjukanoviq, gjatë ditë ditës ka pasur fillimisht takim me presidenten Vjosa Osmani, pastaj takimin e ka vazhduar edhe me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca.
Gjatë vizitës së tij në Prishtinë tha se e mbështet aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Sa i përket raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Gjukanoviq ka theksuar se vendi i tij mbështet dialogun politik që ekziston ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe se beson se vetëm dialogu politik mund të çojë deri te një marrëveshje gjithëpërfshirëse.
Sipas tij, është e rëndësishme që Kosovë të jetë konsistente në këtë proces politik.
Problemi politik i pazgjidhur mes Kosovës dhe Serbisë, ka shtuar Gjukanoviq, nuk ka të bëjë vetëm me dy shtetet, por prek gjithë rajonin./Telegrafi/