Presidenti aktual i vendit, Milo Gjukanoviq, nga muaji i ardhshëm do të marrë një pagë prej rreth 1680 euro si kryetar nderi i shtetit dhe pasi kërkoi atë që i takon sipas Ligjit për Presidentin.
Kështu raportojnë mediat në Mal të Zi, sipas të cilave, vendimi për kompensim është nënshkruar nga kryetari i Komisionit Administrativ Parlamentar, Dragan Krapoviq, dhe Komisioni duhet ta deklarojë vendimin në seancën e radhës.
Siç shkruan “Vijesti.me”, Gjukanoviq, siç e parasheh ligji, kishte të drejtë në 70 për qind të pagës nga muaji i fundit para përfundimit të detyrës.
Dhe ai do ta përdorë kompensimin si president nderi i shtetit deri në daljen në pension.
Titulli i nderit i ish-presidentit të Malit të Zi, të cilin deri më tani e mbante vetëm Filip Vujanoviç, mund të përdoret nga kreu aktual i shtetit në pesë vitet e ardhshme, që thuajse do të përkonte me daljen e tij në pension, pasi në shkurt të vitit 2028 do të mbushë 66 vjeç.
“Vijesti.me” më herët kishte njoftuar se Gjukanoviq do të përfitojë nga mundësitë që i takojnë pas përfundimit të mandatit, që nga titulli nderi, deri në pagë, zyrë speciale, mbështetje administrative, por edhe eskortë zyrtare policore.
Këto të drejta mbahen nga presidentët e Malit të Zi që e kanë mbajtur atë detyrë që nga rivendosja e pavarësisë së Malit të Zi (3 qershor 2006).
Mandati i Gjukanoviqit si president i skadoi më 20 maj dhe më pas përfundoi e drejta e tij për të ardhura, e vendosur më 30 maj 2018.
Në evidencën e tij të pasurisë, në faqen e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, shkruhet se ai fitonte rreth 2400 euro në muaj dhe se ka një “trashëgimi të madhe”.
Mënyra e jetesës së Gjukanoviqit ka qenë nën vëzhgimin e publikut për vite me radhë, pasi ka të bëjë me përshtypjen se ai është “më bujar” se të ardhurat e raportuara. /Telegrafi/