Telegrafi

Gjukanoviq për Abazoviqin: Të vetmen gjë që e vlerësoj tek ai është se është shqiptar

Kryeministri në largim i shtetit malazez, Dritan Abazoviq, me eulogjinë e sotme me rastin e përvjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse të Serbisë, konfirmoi karakterin e tij si manipulues, tha ish-presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq.

Abazoviq tha se Mali i Zi me nënshkrimin e Marrëveshjes Themelore mori perspektivë për të ardhmen më të ndritur dhe hapi rrugën për shumë procese demokratike që ndodhën më pas, raporton mina.

Në përgjigjen e tij, Gjukanoviq deklaroi se shpresonte se nuk do t’i duhej të përsëriste “vlerësimin shumë të vështirë, por korrekt” se nënshkrimi i Marrëveshjes Themelore nga Abazoviq me Kishën Ortodokse Serbe (KPS) ishte tradhtia më e madhe e Malit të Zi pas vitit 1918.

Ish i pari shtetit malazez deklaroi se u ka dal në ballë të gjithë njerëzve që ishin kundër që një shqiptar ta udhëheq qeverinë e Malit të Zi.

“E kam thënë dhe do ta them sërish: e vetmja gjë që vlen për të është se është shqiptar. Ai nuk e sheh se është i turpëruar politikisht për të gjitha kohërat”, tha Gjukanoviq.

Vetëm rreth pesë muaj pas emërimit, Dritan Abazoviqit i ishte lëkundur posti i kryeministrit të Malit të Zi, për shkak të nënshkrimit në fshehtësi të marrëveshjes me Kishën Ortodokse Serbe, e cila i jep asaj të drejta ekskluzive në vend, duke përfshirë eksterritorialitetin.

Më 20 gusht 2022, ishte votuar mocioni i mosbesimit të Qeverisë të drejtuar nga Abazoviqi. Mocioni ishte iniciuar nga partia Gjukanoviqit, DPS, pikërisht për shkak nënshkrimit të marrëveshjes. /Telegrafi/