Site icon Telegrafi

Gjukanoviq: Mali i Zi duhet të mbyllet, shifrat alarmante me COVID-19

Presidenti malazez, Milo Gjukanoviq po kërkon mbylljen e Malit të Zi për shkak të përkeqësimit të situatës epidemiologjike.

Ai iu drejtua qytetarëve të Malit të Zi sot dhe deklaroi në video se situata nga prilli dhe maji, kur situata në vendet e tjera ishte katastrofike, tani është realiteti malazez.

“Shifrat e tmerrshme mbi rritjen e përditshme të numrit të vdekjeve dhe infeksioneve nuk duhet të lënë askënd indiferent në Malin e Zi”, tha Gjukanoviq, duke shtuar se “Shëndeti i qytetarëve tanë është në rrezik serioz”.

Ai tha se në vetëm 11 muaj, më shumë se 1.000 qytetarë vdiqën si rezultat i infeksionit me coronavirus.

“Për këtë qëllim, është e nevojshme të azhurnohen dhe zbatohen me forcë masat adekuate epidemiologjike, të kontrollohet në mënyrë efikase dhe efektive, të mbyllet kufiri për hyrje në Malin e Zi pa testin PCR, si dhe të përshpejtohet procesi i imunizimit të popullatës në interes të shëndetit më efikas dhe afatgjatë”, pohoi presidenti malazez.

Ndryshe, Mali i Zi deri më tani ka regjistruar 76283 të infektuar me coronavirus gjersa kanë vdekur 1015 persona. /Telegrafi/

Exit mobile version