Telegrafi

​Gjukanoviq: Është koha për zgjedhje të reja

Presidenti i Malit të Zi dhe lideri i Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) Milo Gjukanoviq beson se është koha për zgjedhje të reja dhe se Mali i Zi “të ketë një qeveri të përgjegjshme politikisht dhe kompetente”.

Gjukanoviq në Pljevlja, duke folur në ceremoninë e Këshillit Rinor të DPS-së në atë qytet, tha se kjo qeveri do të vazhdojë ta udhëheqë Malin e Zi duke ndërtuar një shtet civil, duke përmirësuar marrëdhëniet ndëretnike dhe ndërfetare dhe duke arritur sistemet evropiane të vlerave.

“Pra, është koha që Partia Demokratike e Socialistëve të jetë sërish në pushtet në Mal të Zi me partnerët e saj tradicional të koalicionit”, citohet të ketë thënë Gjukanoviq, përcjell Telegrafi.

Ai e quajti “eksperiment të vështirë” periudhën dyvjeçare pas zgjedhjeve parlamentare dhe vlerësoi se ato ishin vite të humbjeve të rënda në zhvillimin ekonomik dhe demokratik të Malit të Zi. /Telegrafi/